Prishtinë, 22 prill 2016
Sot, me 22.04.2016, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, bazuar në nevojat operacionale të Policisë së Kosovës për zyrtarë policorë, mbikëqyrës të nivelit të parë, janë graduar 128 zyrtarë policorë në gradën rreshter.
Në ceremoninë e gradimit morën pjesë stafi i lartë drejtues i Policisë së Kosovës, në krye me drejtorin e Përgjithshëm z. Shpend Maxhuni dhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në krye me ministrin z. Skender Hyseni.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Maxhuni ndër të tjera tha se përvoja e fituar, aftësitë, trajnimet dhe avancimet e juaja, do t’i mundësojnë institucionit tonë në realizimin e zotimit dhe detyrimit në mbrojtjen e vendit dhe interesave nacionale.
“Ju duhet të jeni mbështetës të fuqishëm të misionit tonë, aktivë dhe përgjegjës, me qëllim që puna juaj të jetë frymëzim dhe shembull për të tjerët”.
“Ne do të punojmë së bashku, të vetëdijshëm që e ardhmja do të sjell sfida të reja, rritja dhe kompleksiteti i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht, por unë jam i bindur që çdo ditë ju do të përballeni me to, do t’i përmbushni ato me kurajë dhe zell, sepse arritjet dhe sukseset do t’ju bëjnë më të fortë”.
“Ju ftoj të gjithë juve që të tregoheni personalisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veprimet tuaja, duke kryer të gjitha detyrat e ngarkuara me sukses”.
Ndërsa ministri i MPB-së z. Hyseni tha Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e saj të vazhdueshme ka arritur rezultate pozitive dhe për këtë më meritorët janë vetë punonjësit e PK-së.
Njëkohësisht ministri Hyseni shprehu vullnetin e tij për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, me qëllim të krijimit të kushteve edhe më të mira dhe më të avancuara për punonjësit e PK-së.
Gradimit të zyrtarëve policorë i ka paraprirë suksesi që ata kanë treguar në testimet për gradën rreshter në procesin e gradimit të mbajtur më herët dhe përfundimi me sukses i trajnimit “Menaxhimi i Vijës së Parë” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Zyrtarët policorë të graduar në gradën rreshter do të shërbejnë nëpër njësite të ndryshme të Policisë si mbikëqyrës të vijës së parë.
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-ë
DPP-Prishtinë