Prishtinë, 5 nëntor 2015 Me 4 nëntor 2015, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga dy zyrtarë të lartë të stafit të tij, gjatë qëndrimit të tij në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vazhdën e takimeve zyrtare me agjencione të ndryshme policore, mori pjesë edhe në një ngjarje ceremoniale të organizuar nga Illyrian Society of Law Enforcement Officers. Kjo ceremoni i dedikohej shpalljes së personaliteteve të vitit në kuadër të agjencioneve të zbatimit të ligjit në New York Police Department – NYPD, dhe me këtë rast në shenjë falënderimi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Maxhuni iu nda një mirënjohje për vizionin dhe lidershipin e jashtëzakonshëm të dëshmuar në luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar transnacional. Në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm z. Maxhuni me një fjalë rasti para të pranishmëve falënderoi Illyrian Society of Law Enforcement Officers dhe zyrtarët e lartë të NYPD për bashkëpunimin dhe përkrahjen për Policinë e Kosovës në luftimin e të gjitha trendeve negative. Kjo vizitë zyrtare ka për qëllim avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me të gjitha agjencionet policore me qëllim të parandalimit dhe luftimit të të gjitha llojeve të krimit dhe me theks të veçantë terrorizmit dhe krimit të organizuar.