Prishtinë, më 07 maj 2021
Sot, më 07.05.2021, me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit, zëvendësministrja e Drejtësisë znj. Nita Shala njëherit koordinatore nacionale kundër dhunës në familje vizitoi Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin për Parandalimin e Dhunës në Familje.
Vizita u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku drejtori i përgjithshëm i PK-së, z. Samedin Mehmeti së bashku me drejtuesit e lartë të Policisë dhe të Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje, pritën në takim zëvendësministren e Drejtësisë znj. Shala.
Gjatë takimit drejtori Mehmeti i dëshiroi mirëseardhje zëvendësministres dhe përmes një prezantimi të punës së Policisë së Kosovës, në këtë rast të Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje, i njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, rezultatet dhe aktivitetet policore në zbatim të objektivave strategjike dhe angazhimeve konkrete në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje.
Pjesë e prezantimit ishin informacionet mbi planifikimet operacionale, ndryshimet e procedurave operacionale, fushatat sensibilizuese, ligjëratat në ambiente shkollore, veprimet gjithëpërfshirëse policore si dhe projektet e planifikuara, ndër to “Strategjia e Integruar e Policimit të drejtuar nga Intelegjenca dhe Policimi në Bashkësi 2021-2025”.
Zëvendësministrja znj. Shala, në fjalën e saj, falënderoi Policinë për rezultatet e arritura, për punën dhe angazhimet në drejtim të ofrimit të rendit dhe sigurisë publike në vend, përfshirë angazhimet në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, raste këto të cilat janë në rritje e ku kërkohet një angazhim dhe përkushtim edhe më i madh i të gjitha institucioneve. Kërkohet nga të gjithë akterët institucionalë të ngritët edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje, ku për këtë do ta kenë përkrahjen e vazhdueshme të ministrisë.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, u zotua se do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe në veçanti në trajtimin dhe në parandalimin e rasteve të dhunës në familje.