Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha mori pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në New York
Me ftesë zyrtare të Senatores Jessica Scarcella-Spanton dhe Anëtarit të Asamblesë Charles D. Fall, Drejtori i PK-së Kolonel Gazmend Hoxha ka qëndruar zyrtarisht në New York ku ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm Hoxha gjatë ceremonisë theksoi se Policia e Kosovës është falënderuese për përkrahjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Policinë e Kosovës që nga themelimi. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shërbimit ndaj qytetarëve pa dallim. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, ka qenë jetik në ndërtimin e një force profesionale që gëzon besimin e qytetarëve dhe kontribuon për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Kolonel Hoxha gjatë qëndrimit në New York, poashtu mori pjesën në një seancë të senatit të shtetit të New York-ut si dhe u takua me përfaqësues të komunitetin kosovaro-amerikan për të cilët shprehu një falënderim të veçantë për rolin e tyre në forcimin e lidhjeve mes Republikës së Kosovës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.