Prishtinë, 26 Korrik 2024 – Sot, Policia e Kosovës së bashku me personalitete të larta shtetërore, bënë homazhe pranë lapidarit të zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës zyrtare. Kjo ditë e veçantë memoriale është një mundësi për të kujtuar dhe nderuar heronjtë tanë që kanë dhënë jetën për sigurinë dhe paqen e vendit.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri i Parë z.Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Donika Gërvalla – Schwarz, Ministri i Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kolonel Gazmend Hoxha së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-se, vendosen kurora me lule dhe përkujtuan e nderuan sakrificën e zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën e tyre për vendin.
Personalitetet e larta shtetërore me stafin e lartë të PK-se, vizituan edhe familjen e heroit Rreshter Afrim Bunjaku, familjen e heroit Enver Zymeri si dhe bënë homazhe pranë lapidarit të heroit Zymeri në veri të vendit.
Vizita te të gjitha familjet e heronjve të Policisë së Kosovës, janë bërë edhe në nivel të drejtorive rajonale nga drejtorët rajonal me stafin e tyre.
Po ashtu personalitetet e larta dhe stafi i lartë menaxhues i PK-së morën pjesë edhe në aktivitetin e garave profesionale të kërcimit në nderim të policëve të rënë në kryerje të detyrës tek Liqeni i Ujmanit.
Zyrtarët e rënë në kryerje të detyrës janë heronjtë e Kosovës dhe kontributi i tyre do të mbetet i përjetshëm në historinë e Policisë së Kosovës dhe të gjithë vendit tonë.