Prishtinë, 29 prill 2014 Me 15.04.2014 rreth orës 21:50, në udhëkryqin afër Kuvendit të Kosovës, saktësisht në rrugën Agim Ramadani që lidhet me rrugën Nazim Gafurri në Prishtinë, kishte ndodhur aksident i komunikacionit rrugor me pasja fatale ku ishin përfshirë një veture dhe një këmbësori. Vetura e cila ishte përfshirë në këtë aksident kishte goditur një këmbësor dhe më pastaj kishte lëshuar vendin e ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë viktimës dhe duke mos u paraqitur në stacionin policor më të afërt për të paraqitur rastin. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe personi i lënduar ishte dërguar në QKUK-Prishtinë, dhe në bazë të informacioneve nga mjekët kompetent personi i lënduar si pasoj e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga aksidenti rrugor, pas dy orësh kishte ndërruar jetë. Njësitet policore të hetimeve të trafikut rajonal kanë filluar hetimet e menjëhershme duke arritur të identifikojnë veturën e dyshuar, nga e cila kishin rënë disa pjesë të sajë në vendngjarje, të cilat janë konfiskuar nga policia në cilësi të provave materiale. Në bazë të këtyre dëshmive (pjesëve) si dhe në bazë të verifikimit të disa kamerave që janë gjendur në atë lokacion, është arritur të identifikohet tipi dhe lloji i veturës së dyshuar e cila është VW Pasat, ngjyrë e zezë. Duke u bazuar në këto dëshmi Policia ka filluar të verifikoj të gjitha veturat e tipit “pasat”, të regjistruara në Kosovë, si dhe ato të cilat kanë hyrë dhe dalë nga Kosova dy muajt e fundit. Si rezultat i zhvillimit të këtyre hetimeve intensive ka rezultuar që sot 29.04.2014, rreth orës 16:50, njësitet policore kanë identifikuar veturën e dyshuar, e cila duke u bazuar në dëshmitë e gjetura në vendin e ngjarjes dhe incizimit e poseduara, janë përputhur me riparimet të cilat janë bërë në veturën tanimë të konfiskuar. Gjithashtu Policia ka arritur ta identifikojë edhe personin e dyshuar Liridon V. (1991) nga Prishtina,i cili është duke intervistuar në stacionin policor. Lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori i kujdestar dhe në bazë të vendimit të tij pritet për procedurat e mëtutjeshme. Bashkangjitur keni edhe disa fotografi të veturës së konfiskuar e cila ka qenë e përfshirë në rast dhe e cila ishte riparuar nga i dyshuari pas shkaktimit të aksidentit fatal. Me respekt,Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun