Prishtinë, më 2 gusht 2023
Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), nga një ankues, më 01.08.2023, kanë pranuar informatën se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër. Vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie sipas ankuesit është disa milion euro.
Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontrate për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi.
Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari M.A., (viti i lindjes 1965, mashkull kosovar) në prezencë të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.