Stacioni Policor në Gjakovë, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka reaguar me efikasitet ndaj një rasti të raportuar të mbajtjes me forcë të dy viktimave dhe kanosjes me armë zjarri, duke arrestuar të dyshuarin, një mashkull i moshës madhore.
Rasti është raportuar rreth orës 19:25, kur një qytetar ka informuar policinë se ai dhe motra e tij kishin qenë të mbajtur nën kërcënimin e armës, në shtëpinë e të dyshuarit në Gjakovë. Qytetari kishte arritur të ikte, ndërsa motra e tij kishte mbetur brenda, e mbajtur nga i dyshuari, i cili është bashkëshorti i viktimës.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore, përfshirë njësinë e hetimeve dhe NJRSH-në, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të treguar, është arritur që i dyshuari të arrestohet. Gjatë ndërhyrjes, dhe kontrollit të realizuar në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike e cila dyshohet se është përdorur në rast dhe 54 copë fishekë. Në vend-ngjarje po ashtu është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e dyshuar substancë narkotike. Ndërkohë, viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara.
Me vendim të prokurorit të shtetit, në koordinim me të cilin janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë ligjore, përderisa i njëjti është ndaluar në mbajtje për procedura të mëtejshme.