26 maj 2015
Në orët e mëngjesit të sotëm, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-njësia në Ferizaj, të mbështetur nga NJRSH (Njësia për Reagim të Shpejtë) si dhe Njësia e Forenzikës Rajonale, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me ç’rast janë bastisur dy lokacione të ndara në fshatin Koshare të Ferizajt, pronë e të dyshuarit Xh. H. 34 vjeç, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘fajde’ e cila sanksionohet sipas nenit 343 të KPK-së.Ndaj të dyshuarit të lartcekur janë aplikuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, me ç’rast janë siguruar provat materiale. Gjatë kontrollit janë konfiskuar disa dokumente, notese dhe fletore të ndryshme si dhe një pistoletë kalibri 7.65 me 4 fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova ndihmëse në hetimin e mëtutjeshëm të kësaj lënde. I dyshuari i lartcekur dyshohet që gjatë periudhës kohore 2010-2014 nga qytetarë të ndryshëm ka përfituar para me ‘fajde’ në vlerë prej 324.000 € (treqind e njëzetë e katër mijë euro). Me urdhër të prokurorit të shtetit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Xh. H. ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.