Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Arrestohet një i dyshuar për rastet e hedhjes së koktej molotovit në protestën e 26 shkurtit në Prishtinë

Prishtinë, 15 mars 2016 – Më datë 14.03.2016 në ora 21:45 policia ka arrestuar të dyshuarin:

K. Avdimetaj, mashkull, 25 vjeç shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për përfshirje në veprat penale:

• Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 365 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

• Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm sipas nenit 375 lidhur me nenin 31 të KPRK-së

• Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm sipas nenit 412 lidhur me nenin 31 të KPRK-së

• Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë sipas nenit 333 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Policia ka ngritur dyshimin e arsyeshëm se i dyshuari më datë 26.02.2016 gjatë protestës së ndodhur në sheshin “Adem Jashari” si dhe në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ka qenë i përfshirë dhe ka pasur një rol kyç në grupin e personave të maskuar që kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të policisë dhe shtëpisë së kryeministrit.

Veprimet hetimore dhe operative të ndërmarra nga ana e policisë që në fokus kanë pasur identifikimin e personave të dyshuar si dhe dokumentimin ligjor të veprave të sipër cekura kanë rezultuar me ndriçimin e disa rrethanave tejet të rëndësishme lidhur me rastet e përmendura.

Sa sipër ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari me qëllim të furnizimit me koktej molotovi së bashku me disa persona të tjerë me datë 23.02.2016 ka blerë një veturë të tipit Citroën në një depo të hekurishteve në Kaçanik, e cila ka qenë me dokumentacion të pavlefshëm për qarkullim, pra ka qenë e ç ‘lajmëruar pranë organit kompetent që data 24.04.2014.

I dyshuari për shfrytëzimin e kësaj veture ka përdorur targat e një veture tjetër deri në rrugën “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku edhe kanë ndaluar dhe parkuar veturën.

Ndërkohë që policia ka identifikuar personin e dyshuar si dhe ka lokalizuar veturën në fjalë të njëjtën e ka ekzaminuar dhe ka kryer kontrollet e duhura me ç’ rast brenda sajë ka gjetur shishe qelqi që dyshohet të jenë koktej molotovi i përgatitur por i pashfrytëzuar , si dhe evidenca dhe dëshmi të tjera të rëndësishme që i kontribuojnë zbardhjes së rastit.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dyshuarit i është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh për tu dërguar më pas në qendrën e mbajtjes në Prishtinë.

Aktualisht policia po punon edhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast si dhe rastet e tjera të ngjashme me këto të ndodhura kohëve të fundit.

Statstikat e përgjithshme: 2024-06-03
0
Aksidentet Fatale
21
Aksidentet Me te Lenduar
31
Aksidentet Pa te Lenduar
1521
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
11
Arrestime
03
Ne Mbajtje