Mitrovicë, 20 janar 2016
Hetuesit rajonalë në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, katër ditë më parë kishin nisur hetimet për rastin ‘grabitje’ të raportuar nga viktima/tashmë i dyshuari i cili kishte deklaruar se në orët e mbrëmjes së datës 16 janar 2016, derisa po udhëtonte me veturë si shitës ambulant për një kompani mallrash, nëpërmes rrugës rajonale Vushtrri- Skenderaj me të arritur në fshatin Dubovc, kishte raportuar se dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës ia kishin marrë një shumë të hollash në vlerë 500 euro, të holla këto që i posedonte nga shitja e mallrave ambulantë.
Pas procedimit me vendin e ngjarjes me autorizim të prokurorit hetuesit kishin nisur hetimet drejt zbardhjes së rastit, të cilët gjatë hetimeve të vazhdueshme për rastin, si dhe mbi bazën e deklarimit të viktimës për rrethanat e rastit të raportuar si ‘grabitje’ kanë arritur që të zbulojnë se nuk ekziston asnjë provë që në kohën e raportimit të veprës të ketë ndodhur ‘grabitja’.
Kjo ka rezultuar që viktima/tashmë i dyshuari L. P. 35 vjeçar, të ketë deklaruar rrejshëm duke inskenuar rastin mbi justifikimin e shumës së të hollave tek pronari i kompanisë, të cilat i kishte humbur në lojëra fati disa orë para kohës së raportuar për grabitje.
Rrjedha hetimore si dhe provat e siguruara kanë bërë që vepra penale të tjetërsohet nga rasti ‘grabitje’ në vepër penale ‘deklarim i rrejshëm’ ndaj ankuesit tashmë në cilësi të të dyshuarit, i cili pas intervistës është liruar për procedurë të rregullt.