Prishtinë, 26 qershor 2014
Si rezultat i hetimeve disamujore Drejtoria Kundër Terrorizmit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot me 26.6.2014, rreth orës 06:00, ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me hetimet ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në vepra penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist (Neni 143)’, “Rekrutim për terrorizëm (Neni 139)” dhe “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik (Neni 147)”.
Operacioni policor i koduar “Goditja”, i realizuar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit është mbështetur edhe nga njësitet tjera policore të Divizionit të Njësiteve Speciale si dhe njësiteve tjera relevante, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.
Personat e arrestuar janë:
1. I. B. viti i lindjes 1989, në Kaçanik,
2. S. T. viti i lindjes 1984, në Han të Elezit,
3. J. K. viti i lindjes 1992, në Kaçanik.
Në vazhdën e hetimeve, sipas urdhëresës së gjyqtarit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është realizuar bastisje në dy lokalitete, në Kaçanik dhe në Han të Elezit, me ç’rast janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar, tanimë të arrestuar.
Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
• pajisje elektronike (kompjuterë, Lap-Top, SIM kartela),
• revole me gaz, material propagandistik, uniforma ushtarake, pasaporta, dylbi etj.
Njësitet policore janë duke vazhduar me hetimin e këtij rasti rreth mundësisë së përfshirjes edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar të mundshëm.Me vendim të prokurorit personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.