Prishtinë, 14 korrik 2014
Me 14.7.2014, duke filluar nga ora 06:00, Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, të asistuar nga njësitë tjera policore, ka realizuar një operacion policor, me ç’rast kanë arrestuar tre persona të dyshuar me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘kontrabandim me migrantë’, ‘falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘posedim i paautorizuar i armëve dhe municionit’ si dhe ka konfiskuar një numër të konsiderueshëm të dokumenteve dhe gjësendeve tjera në cilësi të provave materiale.
Personat e arrestuar janë:
• B. A. i lindur më 1970 shqiptar/kosovar
• R. D. i lindur më 1963 goran/kosovar
• K. C. i lindur më 1958 shqiptar/kosovarOperacioni policor ka filluar duke kryer bastisje në pesë lokacione të ndryshme të regjionit të Prizrenit. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave mijëra dokumente të ndryshme, si: pasaporta, letërnjoftime, certifikata të lindjes, të shtetësisë, forma të ndryshme të aplikimeve për nxjerrjen e dokumenteve (serbe, bullgare, shqiptare) barna të ndryshme që dyshohet se janë të kontrabanduara, një revole, municione të gjuetisë, një thikë etj.Personat e dyshuar, tashmë të arrestuar nga policia, dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, përmes rrugëve ilegale apo me dokumente të falsifikuara, kanë dërguar apo kanë tentuar të dërgojnë shtetasit kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku shumë prej tyre janë viktimizuar, qoftë fizikisht qoftë materialisht. Të gjitha veprimet policore, lidhur me operacionin dhe bastisjen dhe arrestimeve e të dyshuarve është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, respektivisht Prokurorisë Speciale.