Sot në orët e hershme të mëngjesit në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, Stacioni Policor në Gjakovë, në dy raste të ndara si rezultat edhe i informatave të pranuara dhe hetimeve të zhvilluara ka arritur të identifikoj dhe të arrestoj dy të dyshuar për mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve.
Në njërin rast në rrugën “UÇK”, rreth orës 00:55, pasi është pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri, policia ka arrestuar të dyshuarin me inicialet B.H., shtetas i Republikës së Kosovës të cilit në posedim i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri për sinjalizim me zë (pistoletë), katër gëzhoja dhe 3 copë fishekë.
Në rastin tjetër, patrulla policore, rreth orës 03:05, ka ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit në posedim të të dyshuarit me iniciale E.V., shtetas i Republikës së Kosovës, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri (pistoletë) dhe 6 copë fishekë.
Pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave tjera policore, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë liruar dhe rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt.