Prishtinë, 27 janar 2022 – Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht, Njësia e Hetimeve të Përgjithëshme, ka arrestuar sot dy të dyshuar për një rast të “Privimit të kundërligjshëm të lirisë”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur më datë 26.01.2022, rreth orës 22:45, në fshatin Shtrubullovë të komunës së Drenasit, me ç ‘rast dyshohej se një person është rrëmbyer nga disa të dyshuar.
Viktima, mashkull, 33 vjeç, pasi ishte rrëmbyer nga të dyshuarit ishte dërguar në një lokacion në komunën e Lipjanit, me ç ‘rast ndaj tij ishte ushtruar dhunë dhe forma të ndryshme të kanosjes.
Mbështetur në informacionet e para policia kishte filluar hetimin përfshirë këtu bastisjet në lokacione të ndryshme si edhe ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo policore, që rezultuan me identifikimin e personave të dyshuar.
-E. S, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe,
-Gj. S, mashkull, 55 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
pas arrestimit me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.
Dyshimet janë ngritur për veprat “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndim trupor”, si dhe “Kanosje”