Prishtinë, 28 shkurt 2014 – Dje rreth orës 17:00, hetuesit policor të rajonit të Prishtinës, kanë arrestuar një person të dyshuar për tentim vrasje dhe dhunim.Rasti ka ndodhur me datën 21 shkurt 2014, në rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ku personi i dyshuar, deri sa ishte në lëvizje me veturën e tij, ka shtënë me armë zjarri disa herë në drejtim të palës tjetër, me të cilin kishte pasur mosmarrëveshje duke plagosur kështu aksidentalisht një kalimtar rasti. Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, duke bërë kështu identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar: A. K, mashkull 29 vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës, tek i cili është gjetur dhe konfiskuar një revole, e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë.Gjithashtu i njëjti person, dyshohet me bazë, se po të njëjtën ditë me 21 shkurt 2014, në intervalin kohor 17:00 deri 22:00, ka kryer edhe një vepër tjetër, dhunim. Rast ky i raportuar në stacionin policor jugu në Prishtinë me datën 24.02.2014. Prezent në lokacionin e njëjtë ku është hasur i dyshuari, ka qenë edhe një person tjetër, N.Q, mashkull 27 vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës, i cili nuk ka të bëjë me rastet e sipërshënuara, mirëpo edhe ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje, pasi që tek ai është gjetur dhe konfiskuar një revole. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit do të dërgohen në gjykatën përkatëse pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore nga ana e hetuesve.