Malishevë, 21 korrik
Policia e Malishevës, në vazhdën e hetimit të një rasti kishte shkuar në fshatin Novoselë të Malishevës për të biseduar me një qytetar dhe pasi i njëjti ishte gjetur policët kishin vërejtur se i dyshuari posedonte një armë në brez. Menjëherë i dyshuari është arrestuar ndërsa arma e llojit pistoletë me pesë fishekë në karikator është sekuestruar. Lidhur me rrjedhën e rastit është informuar prokurori i cili ka sugjeruar që poseduesi i armës të lirohet pas procedurave intervistuese, ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë sipas procedurës së rregullt. Po ashtu edhe në Prizren janë sekuestruar dy pistoleta: rasti i parë ka të bëjë me sigurimin e një informacioni i cili ka rezultuar me konfiskimin e një pistolete tek një i dyshuar, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me të shtëna në dasmë. Për të dyja rastet është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që shkresat e lëndës dhe provat materiale t’i kalojnë prokurorisë sipas procedurës së rregullt.