Prishtinë, 24 prill 2014
Me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, parandalimit të aksidenteve si dhe nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit në vendin tonë, Policia e Kosovës me njësitet e saj ka marrë masa me kohë për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore. Policia e Kosovës në rrugët urbane dhe në ato rajonale ka caktuar njësi policore të komunikacionit rrugor, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut.Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, duke përfshirë edhe këmbësorët, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, pasi që shifrat e aksidenteve të tilla janë shqetësuese dhe shumë brengosëse edhe për vetë Policinë e Kosovës.
Apelin e njejtë me video-link mund ta gjeni edhe në web-faqen e Policisë së Kosovës (shih linkun e poshtëshënuar).
http://www.kosovopolice.com/?page=1,49,168