Policia e Kosovës, në kuadër të planit zhvillimor strategjik dhe objektivave të parapara, po vazhdon angazhimet e saj në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me theks të veçantë tani në sezonin veror në avancimin e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia e Kosovës, Divizioni i Trafikut Rrugor, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjes së jetës dhe zhvillimit normal të rrjedhës së trafikut, përmes zbatimit të planeve operative të sigurisë rrugore, aplikimit të ndryshimeve të ligjit të trafikut si dhe realizimit të një sërë fushatave sensibilizuese, ka ndikuar që të ketë një siguri më të madhe në trafikun rrugor.
Angazhimet policore, përveç tjerash, kanë përfshirë shtimin e prezencës së zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “SMART PATROL”, veturat civile të pajisura me radarë mobilë, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme e njësi tjera policore, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese, të cilat kanë rezultuar me ulje të aksidenteve për këtë periudhë shtatë mujore të këtij viti, e po ashtu edhe për muajin korrik 2024.
Gjatë periudhës shtatë mujore të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton se aksidentet me pasoja fatale kanë shënuar ulje për -10.34% dhe aksidentet me persona të lënduar kanë shënuar ulje për -8.09%, po ashtu rezultate pozitive janë arritur edhe në muajin korrik të cilat i keni në tabelën në vijim.
Policia e Kosovës APELON për respektim të rregullave në trafikun rrugor, sepse vetëm duke respektuar rregullat e trafikut mund të arrijmë në ulje të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.