Mitrovicë , 04 dhjetor 2021
Sonte rreth orës 17:15, në rrugën rajonale Mitrovicë – Zubin Potok, gjegjësisht në fshatin Zhabarë të Mitrovicës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një person (këmbësore) ka vdekur.
Nga hetimet fillestare, në këtë aksident janë përfshirë një automjet me targa vendore dhe një këmbësore. Si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja, 70 vjeçare, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Njësiti i hetimeve të trafikut rrugor ka arrestuar të dyshuarin ngasësin e veturës, ku pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.