Policia e Kosovës, sot përmes një ceremonie zyrtare, bëri shkatërrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve dhe pajisjeve të ndryshme të paligjshme, duke treguar se ky është një hap vendimtar drejt sigurisë më të madhe në Republikën e Kosovës, si dhe duke dërguar një mesazh tek të gjithë qytetarët, brenda dhe jashtë kufijve tanë, se Kosova është e vendosur për të mbajtur sundimin e ligjit, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike si dhe për të larguar armët ilegale.
Në këtë ceremoni të shkatërrimit të armëve morën pjesë personalitete të larta nga Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, UNDP-ja dhe zyra e BE-së, të cilët dërguan mesazhet e tyre te mediat dhe opinioni i gjerë, se duke shkatërruar dhe larguar këto armë nga qarkullimi, po kontribuojmë në krijimin e një mjedisi të sigurt që promovon sigurinë, shpëton jetë njerëzish si dhe parandalon e shmang tragjedi të mundshme.
Në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë numër relativisht të madh të municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe mjeteve të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivet artizanalë, përderisa në këtë ceremoni me vendim të gjykatës, është lejuar shkatërrimi i (993 armë), prej tyre 372 armë të gjata dhe 621 shkurta, si dhe pajisje tjera.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë armët ilegale, njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të dorëzohen dhe të largohen armët ilegale nga duart e qytetarëve.