Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, janë organizuar gara sportive që kanë zgjatur rreth tre muaj, përfshirë disiplina të ndryshme sportive si futboll, volejboll, atletikë, vrapim, shah, dhe qitje me armë.
Ndeshjet finale u mbajtën sot, më 31 gusht 2024, në sallën e sporteve “Adem Jashari” në Obiliq, duke filluar nga ora 09:00.
Në këtë ditë përmbyllëse të garave, mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin menaxhues, i cili bëri hapjen zyrtare të garave dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur vazhdimisht aktivitete të tilla sportive.
Kolonel Hoxha, gjithashtu, njoftoi se Policia e Kosovës ka nisur procedurat për regjistrimin e Shoqatës Sportive Policore, për të qenë pjesë aktive në gara sportive të ndryshme në vend dhe jashtë tij.
Në një ndeshje të fiqishme futbolli, për vendin e parë u përballën ekipi i Departamentit të Njësive Speciale dhe Departamenti për Siguri Publike.
Pas një loje të jashtëzakonshme, trofeu i kampionit u ngrit nga Departamenti i Njësive Speciale.
Një risi e këtij viti ishte përfshirja e Policeve femra të Policisë së Kosovës, të cilat zhvilluan dy ndeshje të veçanta në futboll dhe basketboll.
Këto gara të organizuara nga policet femra jo vetëm që ia rritën vlerën shënimit të këtij jubileu, por edhe e bënë Policinë e Kosovës shembull për të gjitha institucionet e vendit, duke promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen aktive të grave në aktivitete sportive.
Aktivitetet për shënimin e 25 vjetorit të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë edhe më 4 dhe 5 shtator, dhe do të kulmojnë me ceremoninë zyrtare më 6 shtator, në Ditën e Themelimit të Policisë së Kosovës.