Në shenjë përkujtimi dhe nderi për veprën dhe heroizmin e tij, Ministri i Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha me stafin e lartë menaxhues dhe familjarët e heroit, vendosen kurora me lule pran lapidarit në vendin ku u vra zyrtari policor Triumf Riza.
Data 30 gusht e vitit 2007, ishte një datë e kobshme për vendin dhe Policinë e Kosovës, pasi humbi një zyrtar me vlerë të lartë policore, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij ndryshoj rrugën e sigurisë së shtetit dhe të qytetarëve, duke treguar se Policia nuk zmbrapset para asnjë krimineli.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do ta kujtojnë përherë me nder dhe respekt të thellë, Heroin e Kosovës Triumf Riza dhe gjithë të rënët në detyrë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe vendit.