Policia Rajonale e Ferizajt ka thirrur në takim përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit.
Në këto takime është diskutuar situata e sigurisë, e cila është vlerësuar e qetë në rajonin e Ferizajt, ndërkaq është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth degëve të bankave në komunat e rajonit në parandalim të incidenteve kriminale të vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve.
Menaxhmeti i stacioneve policore i ka siguruar përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale se policia ka në zbatim planin operativ me masa të shtuara të policisë në terren dhe aktivitetitet e policisë do të përqëndrohen rreth bankave.
Do të angazhohen të gjitha njësitet, duke i pëfshirë policët e rendit , policët e sektorit, hetuesit e stacioneve dhe hetuesit rajonal. Gjithashtu do të bashkërendohen aktivitetet për mbështetje edhe me njësi tjera, në rast nevoje.
Në këto takime janë përcaktuar prioritetet e policisë rajonale për ditët në vijim dhe se policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë tendenca të cenojnë sigurinë dhe prishin rendin dhe qetësinë publike.
Policia Rajonale e Ferizajt falenderon qytetarët për bashkëpunim, ndërsa inkurajonë të tjerët që të bashkëpunojnë me policinë dhe për ç’do informacion për raste kriminale të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/70092.
Informacionet e juaja do të trajtohen menjëherë nga policia dhe të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.