DREJTORI I PËRGJITHSHËM I POLICISË SË KOSOVËS HOXHA NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT U PRIT NGA ZËVENDËSMINISTRI PUNËVE TË BRENDSHME BUSHI DHE DREJTORI I BSP-së TASEVSKI
Sot më 28.02.2024, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha i shoqëruar nga një delegacion i Policisë së Kosovës, gjatë vizitës në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar takim me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Nazim Bushi dhe me drejtorin e Byrosë për Siguri Publike (BSP) në Ministrinë e Punëve të Brendshme të RMV, dr. Sasho Tasevski.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer të ndërsjellë, realizuar në vazhdimësi gjatë viteve të fundit, me synim për vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, gjë që do të kontribuojë në forcimin e sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.
Ndër temat kryesore të takimit ishin bashkëpunimi policor në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe krimit të organizuar, hetimet e përbashkëta, bashkëpunimi ndërkufitar dhe bashkëpunimi në fushën e trajnimeve të përbashkëta, që synon përmirësimin e kapaciteteve policore të të dy vendeve. Gjithashtu u theksua roli i përbashkët i policisë së të dy vendeve në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës, me këtë rast ka vizituar edhe Qendrën e Trajnimeve në Idrizovë.