Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit.
Mbështetur në informacionet e pranuara në rrugë operative, policia ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë ka orientuar veprimet e saj taktike-operative në drejtim të arrestimit të të dyshuarit.
Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre.
Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit.
Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin.
Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë.