Me qëllim të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të qytetarëve për parandalimin e dhunës në familje, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, ka filluar të realizohet fushatë ndërgjegjësimi me aktivitete të shtuara kundër dhunës në familje me synim parandalimin efektiv të kësaj lloj dhune.
Në kuadër të aktiviteteve, njësitet policore në nivel të sektorëve dhe njësisë së komunitetit, gjatë kësaj jave në gjithë zonën e përgjegjësisë, po shpërndajnë fletushka me përmbajtje ndërgjegjësimi duke u bërë thirrje viktimave dhe dëshmitarëve që rastet e tilla ti raportojnë në polici dhe institucione tjera përkatëse.
Motoja e kësaj fushate “Fuqia është në dorën tuaj-Raporto” e thekson se familja është gjëja më e rëndësishme në jetë, përmes së cilës synon të promovojë angazhim për zero tolerancë ndaj dhunës në familje në të gjitha sferat e shoqërisë.
Veprimet e ndërmarra policore kanë për qëllim definimin e ndjeshëm që ka dhuna në familje, si shkelje e të drejtave të njeriut ashtu edhe si krim, andaj dhuna nuk duhet heshtur, ajo duhet të raportohet. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për parandalimin e dhunës në familje.