Prishtinë, 20 korrik 2022
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, më datë 12.07.2022 kishte arrestuar, e me pas me aktvendim të prokurorit të shtetit ishin ndaluar dy persona të dyshuar, shtetas të Republikës së Serbisë mbi dyshimet se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizim i përmbajtjes se rreme” dhe “Mashtrim” duke falsifikuar letërnjoftimin e një personi gjithashtu shtetas i Serbisë, respektivisht duke vendosur fotografinë e vetë në letërnjoftim te personit tjetër, e të njëjtin duke e shfrytëzuar dhe pretenduar shitjen e disa pronave rreth dhjetë (10) hektar në vlerë rreth një milion euro në një zonë në Komunën e Suharekës.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në vazhdën e hetimeve ka siguruar dëshmi shtesë se edhe një person është i përfshirë në këtë rast, ku në bashkëkryerje me dy personat e tjerë të arrestuar me herët, dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim”, dhe me këtë rast sot datë 20.07.2022, është arrestuar edhe i dyshuari i trete me iniciale (S.K,) i cili pas intervistimit në prezencë të mbrojtësit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të katërt dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në këtë rast.