Policia e Kosovës nën mbështetjen dhe përkrahjen e OSBE-së, realizoi punëtorinë e radhës për vlerësimin e zbatimit të Strategjisë së Integruar “Policia e drejtuar nga Intelegjenca dhe Policisë në Bashkësi dhe Planit të Veprimit 2021-2025″.
Kjo punëtori e radhës, sipas planit të veprimit përfshinë raportimin rreth të arriturave të kësaj strategjie, përfshirë periudhën e raportimit janar-qershor 2022.
Sipas planit të veprimit, qëllimi i kësaj punëtorie ishte vazhdimi i prezantimit të të arriturave drejt përmbushjes së objektivave strategjike, bashkërendimi dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta në të gjitha nivelet.
Përveç të tjerash përmes kësaj punëtorie synohet vazhdimi i mëtejmë drejt implementimit të planit të veprimit të kësaj strategjie e cila ka për qëllim primar të avancojë sistemin e integruar të intelegjencës përmes qasjes së përgjithshme proaktive dhe bashkëkohore të policimit në bashkësi në të dy nivelet e organizimit të Policisë së Kosovës.
Në këtë punëtori morën pjesë stafi i lartë i Policisë së Kosovës nga niveli qendror, drejtorët e të gjitha drejtorive rajonale dhe kufitare, divizioni i trafikut, përfshirë përfaqësues të OSBE-së nga departamenti i sigurisë.
Nga të pranishmit përveq raportimeve periodike pati edhe diskutime interaktive, të cilat rezultuan në mënyrë pozitive në vazhdimin e zbatimit të objektivave strategjike për periudhën e viteve në vijim.