Prishtinë, më 26 tetor 2021
Rasti i parë: Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN)-Njësia Ferizaj, pas hetimeve paraprake, më 25.10.2021, rreth orës 19:30, të ndihmuar nga zyrtarë policorë të Stacionit Policorë Ferizaj, kanë ndalur një veturë me targa vendore në të cilën është gjetur një çantë me substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Me këtë rast policia ka arrestuar Xh.G., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar). Më pas, në proces të hetimit dhe operacionit policor, policia ka arrestuar edhe V.B., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në koordinim me organet e drejtësisë janë realizuar kontrolle në banesat e dy të dyshuarve. Tek banesa e Xh.G., janë gjetur dhe konfiskuar: 13 qese najloni të mbushur me substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, me peshë 4.1 gram. Kurse në banesën e V.B., nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar/konfiskuar, provat si në vijim: një qese e zezë najloni e mbushur me substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë 1283.3 gram, 13 qese najloni të mbushura substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, me peshë 4.1 gram, 3 telefona mobil, para të gatshme dhe dy vetura. Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Rasti i dytë: DHTN-Njësia Gjakovë, pas një kohë hetimesh, sot më 26.10.2021, ka realizuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore Gjakovë për kontrollim të pronave të të dyshuarave: G.I., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar), J.I., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar) dhe Rr.Sh., (viti i lindjes 1999, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve G.I., dhe J.I., në pjesë të ndryshme të shtëpisë në cilësi të provave materiale është konfiskuar: 5 kilogram e 571 gram substancë që dyshohet të jetë marihuanë, tri vetura, katër telefon, një pushkë gjuetie, një karikatorë, pesë fishekë dhe një granat dore. Me aktvendim të prokurorit re të dyshuarit ndalohen për 48 orë.