Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Mbahet takimi zyrtar lidhur me përgatitjet dhe zbatimin e urdhrit operativ për zgjedhjet lokale – 17 tetor 2021

Prishtinë, 15 tetor 2021
Policia e Kosovës realizoi një takim zyrtar lidhur me planifikimin dhe angazhimin e zyrtarëve policorë në zbatim të planit operativ për “Zgjedhjet lokale – 2021”. Në takimin i cili është udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti, kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së, drejtorët e departamenteve, drejtorët e divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët janë njoftuar për planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Drejtori Mehmeti, gjatë këtij takimi ka theksuar se ky është një proces mjaft i rëndësishëm për vendin, andaj përmes realizimit të planit operativ dhe koordinimit të nivelit qendror dhe lokal duhet të krijohet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për t’ u mundësuar ushtrimin e të drejtës së votimit si e drejtë e garantuar me kushtetutë.
Qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, implementimi i katër fazave operacionale, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe të institucioneve të tjera të angazhuara në këtë proces.
Përveç të tjerash janë paraparë masat e nevojshme rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, gjithnjë duke zbatuar masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘COVID-19’.
Statstikat e përgjithshme: 2024-11-22
0
Aksidentet Fatale
10
Aksidentet Me te Lenduar
32
Aksidentet Pa te Lenduar
1880
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
17
Arrestime
7
Ne Mbajtje