Prishtinë, 09 mars 2021
Sot, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në të cilën ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti me bashkëpunëtorë, si dhe z. Znj. Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, Policia e Kosovës ka pranuar një donacion prej pesë (5) qenve për njësinë ‘K9’.
Pranim – dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë znj. Maria Suokko.
Për pjesëmarrësit u bë një prezantim i shkurtër i qenve në veprim nga pjesëtarë të Njësisë ‘K9’.
Ky donacion sipas z. Mehmeti dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me UNDP- në: “Misioni dhe angazhimi ditor i Policisë së Kosovës është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës është organizatë profesionale e zbatimit të ligjit dhe gjithnjë mbetet e përkushtuar për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Policia luan një rol kyç në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative dhe krimeve të llojeve të ndryshme përfshirë edhe trafikimin e armëve ilegale si dhe në kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”.
Donacioni i dhuruar sot, ka për qëllim mbështetjen e Policisë së Kosovës në ngritjen edhe më tej të produktivitetit policorë në parandalimin e kontrabandimit, zbulimit dhe konfiskimit të armëve ilegale, municionit dhe eksplozivëve.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko theksoi se në rrethana të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia, jemi të sfiduar të vazhdojmë të sigurojmë shërbime për të gjithë njerëzit – në mënyrën më efikase të mundshme. Në një mjedis global kompleks, përplot pasiguri, institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara. Dhe kjo është ajo që po bën Policia e Kosovës – duke zgjeruar kapacitetet e saj në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe avancimin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe eksplozivëve.
Sot, ne po dhurojmë pesë qen ‘K9’ për njësinë ‘K9’ të Policisë së Kosovës. Qentë do të trajnohen në mënyrë specifike në nuhatjen dhe zbulimin e narkotikëve dhe eksplozivëve të ndryshëm që përndryshe do të mund të kontrabandoheshin përmes pikave të kalimit kufitar ose vijave të gjelbra të kufirit. ”
Drejtori i PK-së, z. Mehmeti, falënderoi përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko, për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme dhenë Policisë së Kosovës.
Në vazhdim gjeni edhe video-linkun:
https://youtu.be/9lA7bsl5c4k