Me ftesën e Policisë së Kosovës dhe në partneritet me Shoqatën e Grave Police të Kosovës, me datën 7 dhe 8 mars 2020 në Prishtinë po mbahet takimi i bordit drejtues i Asociacionit Ndërkombëtar të Grave Police në Botë (IAWP).
Takimi i këtij niveli mbahet për herë të parë në Ballkan në 105 vjet histori të kësaj shoqate policore prestigjioze që ka shtrirje pothuajse në gjithë botën.
Në vigjilje të festës ndërkombëtare të gruas 8 mars Policia e Kosovës ka nderin që të presë dhe të bashkojë në Kosovë, zyrtare të larta policore nga e gjithë bota, përfshirë rajonin dhe Kosova. Për nder të kësaj feste Policia e Kosovës do të organizojë mbrëmje solemne me 8.3.2020 ku pjesëmarrëset përveç argëtimit do të kenë rastin të njihen me njëra tjetrën ta njohin Policinë e Kosovës historinë e saj dhe me pjesë nga traditat dhe kultura e vendit tonë.
Si vazhdimësi e këtij takimi të rëndësishëm me datën 9 dhe 10 mars 2020 do të mbahet konferenca dy ditore me temën “Roli i grave police në përgjigjen ndaj kërcënimeve transnacionale”.
E moderuar nga anëtarët e bordit drejtues të IWAP-it konferenca do të prezantojë tema të ndryshme që ndërlidhën me sfidat rajonale dhe ndërkombëtare të organizatave policore dhe më gjerë, me fokus roli dhe fuqizimi i gruas police në botë.
Gjatë konferencës personalitete të ndryshme nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë, shoqëria civile nga vendi dhe bota do të prezantojnë në panele tema që ndërlidhen me fuqizimin e gruas në sektorin e sigurisë, jo vetëm në Kosovë por gjithandej globit.
Policia e Kosovës si nikoqire e këtij takimi të nivelit ndërkombëtar do të ketë mundësinë që të prezantojë vetveten e saj si një polici relativisht e re por edhe të marrë nga përvojat dhe praktikat e vendeve të ndryshme ndërkombëtare.
Policia e Kosovës falënderon bordin drejtues të IWAP që takimin dhe konferencën ka vendosur ta mbajë në Kosovë dhe partneret tanë strategjikë që mundësuan organizimin dhe mbajtjen e saj.
Takimi i bordit drejtues të IWAP dhe konferenca ndërkombëtare mbahen nën patronatin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë OSBE, Ambasadës Amerikane -Programi INL dhe ICITAP-i.
Ftohen të gjitha mediat ta përcjellin këtë konferencë.
Vendi: Hotel Emerald
Data : 08.03.2020 ora 20:00
Datat: 09/10.03.2020 ora 10:00
Kush është IAWP ?
Shoqata Ndërkombëtare e Grave Police (shkurtesa anglisht IAWP) u themelua në Shtetet e Bashkuara në Los Angeles, California në vitin 1915. Qëllimi i IAWP është të forcojë, të bashkojë dhe të rrisë kapacitetin e grave në polici ndërkombëtarisht. Anëtarët e IAWP tani numërojnë mbi 73 shtete të ndryshme të botës, ku përfshihen gjithsej 26 regjione. IAWP ofron trajnime, mentorim, bursa, mbështetje nga kolegët, shpërblime për arritjet në punë policore, rrjetëzim dhe mundësi për të zhvilluar aftësitë meaxheriale dhe udhëheqjen e organizatës. IAWP nënvizon çështjet që prekin gratë në zbatimin e ligjit në të gjithë botën. Po ashtu ka revistën Women Police, botim tremujor.
Shoqata e Grave e Policisë se Kosovës (SHGPK) është anëtare e kësaj shoqate botërore. Policia e Kosovës përfaqësohet nga kolonel Taibe Canolli- Brajshori, drejtor i Departamentit për Burime Njerëzore, e cila është anëtare e bordit drejtues të IAWP–it si dhe është koordinatore e Regjionit 15 të IAWP dhe mbulon 24 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bulgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia Veriore, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Rumunia, Federata Ruse, Serbia, Republika e Sllovakisë, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina). Nga Policia e Kosovës edhe rreshter Antigona Çitaku-Dibrani, është e nominuar si bashkëkoordinatorë për të njëjtin regjion.