Prishtinë, 2 mars 2018
Policia e Kosovës, konkretishtë Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ndër objektivat kryesore të saj ka edhe parandalimin dhe hetimin e veprave penale të: Trafikimit me Njerëz, Mundësim në prostitucion, Ofrim të Lokaleve për Prostitucion si dhe veprave tjera kriminale që ndërlidhen me to.
Në funksion të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive ilegale gjatë muajit shkurt 2018, Policia e Kosovës me njesitet relevante të saj dhe me asistencë dhe bashkëpunim edhe të akterëve tjerë institucional si: Inspektorët e ATK-së, MTI-së, Inspektorët e Punës dhe Inspektorët Komunal, ka hartuar dhe implementuar planin e veçant operativ “ Massage”, i realizuar në tri (3) rajone Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
Plani operativ kishte për qëllim luftimin e informoalitetit dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit dhe gjatë realizimit të tij janë inspektuar 63 Lokale/sallone Masazhi dhe kanë rezultuar të gjeturat si në vijim:
• Disa nga këto lokale/masazhe nuk kanë qenë fare të regjistruara në ATK si biznese, NUK kane poseduar asnjë dokumentacion,
• Shumica nga to (lokalet) nuk kanë poseduar arka fiskale,
• Nuk kanë pasur pëlqime nga komuna për ushtrim të veprimtarisë ekonomike,
• Nuk i kishin të deklaruara punëtoret,
• Pa kontrata pune për punëtoret që i kishin punësuar,
• Punonjëset në shumicën e lokaleve kanë qenë pa kualifikim,
• Nuk e kanë të deklaruar qarkullimin ditor-mujor,
• Nuk posedonin pëlqim sanitar,
• Mungonin libreza sanitare,
• Janë hasur të punësuara femra të mitura nën moshën 18 vjeçare etj.
Pas procedurave të nevojshem në koordinim me kompetentët janë ndermarr veprimet si në vijim:
• Për shkak te parregullsive tridhjetë e tetë (38) lokale që ushtronin veprimtari për masazhe janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorët e Inspektoratit përkatës,
• Nga inspektoret e ATK-së, të MTI-së, të Punës dhe Inspektorët Komunal janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e hasura.
• Janë legjitimuar të gjithë punëtoret e hasur në këto qendra të masazheve dhe të gjithëve ju është ofruar mundësia të deklarohen nëse janë në ndonjë formë Viktima të Trafikimit.
• Janë hasur duke punuar dhe qëndruar në RKS, pa leje Qëndrim dhe leje pune pesë ( 5) femra, shtetase të Shqipërisë ( të gjitha janë dorëzuar Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj).
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse që kanë përgjegjësi për mbikqyrjen e veprimtarisë së këtyre bizneseve të cilat kohëve të fundit janë gjithnjë e në rritje, gjithashtu zotohemi në trajtimin sa më profesional të të gjitha atyre rasteve ku dyshohet se kryhen veprimtari që bien ndesh me ligjet pozitive të Republikës së Kosovës.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP, Prishtinë