Prishtinë, 08 nëntor 2017 –Dje rreth orës 17:00, policia ka marrë informacionin për një rast grabitje në Fushë Kosovë, saktësisht në një parking në zonën industriale, ku tre persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve, kanë arrit që të grabisin nga viktimat një shumë të konsiderueshme parash si dhe një çantë me dokumente personale.
Me të marr informacionin, policia është vënë në ndjekje të veturës Golf IV, ngjyrë hiri pa targa, me të cilën janë larguar nga vendi i ngjarjes personat e dyshuar.
Kjo veturë është ndaluar në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, nga zyrtarët policor të cilët domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të rrezikshme. E gjithë kjo është bërë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre.
Lidhur me këtë rast policia ka arrit të arrestoj vetëm njërin nga personat e dyshuar:
F. S, mashkull, 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ndaj të cilit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat Tentim vrasje, grabitje e armatosur dhe mbajte në pronësi, në kontroll, në posedim ose ne shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Ndërkohë që njësitet policore kanë sekuestruar:
• vetura Golf IV ,
• një pistoletë e kalibrit 8 mm ,
• një pistoletë të plastikës (lodër),
• një pale dorëza,
• dy kapela si dhe
• çanta e viktimës së bashku me dokumentet personale.
Aktualisht hetuesit policor po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje, si dhe po punojnë për identifikimin e arrestimin e personave të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në rast.