Prishtinë, 29 gusht 2017 – Sot rreth orës 12:30, kemi pranuar informatën se ka ndërruar jetë personi S.P mashkull, 30 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në Repartin e kujdesit intensiv në QKUK.
Viktima ka qenë i lënduar rëndë në aksidentin e trafikut që ndodhi me datën 22 gusht 2017, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Sibovc të Podujevës.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me urdhër të Prokurorit të shtetit.
Bazuar në të dhënat që Njësiti i trafikut rrugor posedon , numri i viktimave që pësuan në aksidente trafiku që nga 1 janari deri sot në rajonin e Prishtinës, arrin në 22 persona.
Andaj duke i parë si shqetësuese këto shifra, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.
Vdes një person në aksident trafiku, lëndohen katër të tjerë
Prishtinë, 22 gusht 2017 – Sot rreth orës 07:00, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Sibovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete të cilat ishin në lëvizje, automjeti i tipit “Kia-Sportage ngjyrë e bardhë” dhe një furgon transportues, që të dyja me targa të Republikës së Kosovës.
Si pasojë e këtij aksidenti viktima:
A.S. mashkull 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ndërruar jetë nga plagët e mara. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkohë që katër personat e lënduar (dy prej të lënduarve janë në gjendje më të rëndë), janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim mjekësor.
Me hetimin e shkaqeve dhe rrethanave që kanë quar deri te kjo ngjarje po merren hetuesit e Njësitit Rajonal të Trafikut rrugorë.
Duke parë si shqetësues numrin e madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, që po ndodhin këto ditë, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.