KOMUNIKATË PËR MEDIA
Policia ndërmerr masa shtesë, me qëllim të ngritjes së sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik
Prishtinë, 21 prill 2017
Policia e Kosovës, me njësitet e saj, në funksion të krijimit të një sigurie më të madhe në trafikun rrugor, parandalimin e aksidenteve si dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë atyre pjesëmarrësve që shkelin rregullat e trafikut rrugor, ka realizuar një plan operacional lidhur me “identifikimin, ndëshkimin dhe largimin nga qarkullimi në trafikun rrugor të mjeteve të paregjistruara”.
Ky operacion policor është realizuar nga data 05 deri 12 prill 2017, nga të gjitha njësitë policore dhe në bazë të të dhënave nga terreni ka rezultuar të jetë i suksesshëm.
Gjatë kësaj periudhe kohore janë shqiptuar gjithsejtë 332 gjoba për kundërvajtje sa i përket drejtimit të mjetit të paregjistruar, kurse 169 mjete janë larguar nga trafiku rrugor si dhe janë konfiskuar 47 palë targa.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që me rastin e daljes në trafik të respektojnë rregullat dhe ligjet në fushën e trafikut rrugor, në të kundërtën ne si PK në vazhdimësi do të veprojmë në realizimin e detyrave dhe operacioneve të tilla në funksion të zbatimit të ligjit në përgjithësi dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore, e në veçanti krijimit të një situate sa më të mirë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor.
Prandaj, në këtë fushë kërkohet një përkushtim, bashkëpunim dhe vigjilencë nga të gjithë ne, sepse secili mund të japë kontributin e tij në krijimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor në vendin tonë.
Falë angazhimit dhe masave shtesë të njësiteve policore dhe falë sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafik, për periudhën krahasuese janar-mars 2017, me periudhën e njëjtë kohore janar-mars 2016, është shënuar ulje e aksidenteve me pasoja fatale për -18.18 për qind.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ngritjes së sigurisë së përgjithshme në Kosovë, duke përfshirë edhe sigurinë në trafikun rrugor.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së