Mitrovicë, 10 qershor 2016 –
Nën moton ’’Bëhu pjesë e Policisë së Kosovës’’, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, sot ishte nikoqire e vizitës së nxënësve dhe të rinjve të komunitetit RAE, në Mitrovicë.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të implementimit të projektit të përbashkët me OJQ ’’Mundësia’’, që ka filluar javë më parë, me qëllim të vetëdijesimit të komuniteteve jo-shumicë, për rolin e Policisë dhe funksionimin policor.
Grupi prej 30 nxënësish u pritën nga drejtori rajonal nënkolonel Nehat Thaqi, i cili prezantoi aktivitetet e projektit të përbashkët për vetëdijesim dhe inkurajim të këtyre të rinjve, ku shprehi gatishmërinë se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë gjithnjë afër qytetarëve, si në aspektin e ofrimit të sigurisë publike, ashtu edhe të promovimit të vlerave pozitive për një shoqëri të shëndoshë të edukuar, për të ardhmen.
Përveç takimit, rrjedha e vizitës vazhdoi duke i njoftuar fëmijët për punën policore, hapësirat e punës në objektin policor, me qendrën e komunikimit, njësinë e reagimit të shpejtë, sistemin operativ e administrativ, krim–teknikën. Njëkohësisht zyrtarët policorë u kanë ofruar informacione për punën rutinore policore, si dhe njohuri elementare për thirrjet emergjente, dërgimin e informacionit me kohë në fushën e parandalimit etj. Gjithashtu fëmijëve u është shpjeguar edhe për të drejtat dhe përgjegjësitë e të miturve në raport me zyrtarët policorë.
Nxënësit gjatë vizitës pasqyruan njohuri të kënaqshme për punën, rolin e Policisë në fushën e sigurisë, si dhe rëndësinë e qasjes së përbashkët, për të kontribuar për siguri publike.
Me rastin e kësaj vizite të gjithë nxënësve u janë shpërndarë dhurata me simbole policore.