Prishtinë, 14 mars 2016
Sot, me 14 mars 2016, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni me stafin e lartë të PK-së, ka pritur në një takim ministrin e Brendshëm të Landit të Mecklenburg-Vorpommern të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Lorenz Caffier, po ashtu i shoqëruar nga stafi i tij.
Z. Shpend Maxhuni fillimisht falënderoi për vizitën ministrin nga Gjermania dhe njëkohësisht gjatë takimit paraqiti një prezantim rreth historikut, organizimit, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës.
Përveç tjerash temë e këtij takimi ishte edhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar, migrimi ilegal, luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Drejtori Maxhuni njoftoi ministrin z.Caffier, se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: INTERPOL-i, EUROPOL-i etj., e cila do të ndikojë edhe më pozitivisht në parandalimin, luftimin e kriminalitetit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së, ku njëherit u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga vetë ministri z. Lorenz Caffier.
Nga ana e tij z. Lorenz Caffier falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen dhe njëkohësisht premtoi se do të angazhohet në mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe përkrahjen e inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë.
Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, z.Maxhuni dhe z.Caffier u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në mes veti si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, migrimit ilegal dhe terrorizmit.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së