Prishtinë, 9 janar 2016, ora 13:00
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimet dhe deklarimet e publikuara sot (09.01.2016) në media dhe portale, se kinse Policia e Kosovës po i ndalon dhe pengon protestuesit që në mënyrë të organizuar me autobus të vijnë nga rajonet e ndryshme në Prishtinë, ky deklarim nuk është i vërtet dhe nuk qëndron.
Po ashtu edhe deklarimi në media se kinse Policia e Kosovës ka rrahur dhe maltretuar protestues të ndryshëm duke përfshirë ata nga Shqipëria, nuk qëndron dhe nuk është aspak i vërtetë.
Ashtu siç e kemi bërë të ditur Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ, për tu kujdesur për sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmerinë e ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet.
Andaj referuar planit policor si dhe përgjegjësive ligjore që kemi, PK-ja është duke ndërmarr veprimet e saja konform autorizimeve ligjore duke përfshirë edhe kontrollin në komunikacionin rrugor, por në asnjë rast të vetëm nuk ka ndaluar dhe penguar qarkullimin e asnjë autobusi në asnjë rajon.
Ndërsa në pikën kufitare që lidhë Republikën e Kosovës me atë të Shqipërisë, bazuar në procedurat ligjore kufitare, një numri prej dyzet e dy (42) personave ju është refuzuar hyrja.
Policia e Kosovës e ri-thekson se njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste, i cili edhe është prioritet i yni.
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-së