Prishtinë, 31 dhjetor 2015
Policia e Kosovës për festën e fund-vitit ka përgatitur planin operativ “Fund-viti 2015”, për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.
Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore dhe ngritja e vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme ku do të mbahen organizime festive, në mënyrë që të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët dhe të parandalohet ç’do incident i mundshëm.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit që të jenë më vigjilentë dhe të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, në këtë rast mjetet piroteknike dhe të njëjtat mos t’i lënë në duart e fëmijëve, kështu për të evituar rrezikun për veten dhe rrethin ku ata janë duke festuar.
PK—ja kërkon nga të gjithë qytetarët që gjatë manifestimit të mos përdorin mjete të kundërligjshme siç janë armët e zjarrit, në të kundërtën njësitet policore do të ndërmarrin veprimet e menjëhershme ligjore.
Njëkohësisht Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët, në këtë rast të pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor, që të kushtojnë vëmendje të shtuar në komunikacion, të respektojnë dispozitat ligjore të trafikut si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike, ku ditëve të fundit po paraqiten mjegulla të cilat po reflektojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në trafik.
Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e ndërsjellët gjatë gjithë vitit me qytetarët, PK-ja inkurajon të gjithë qytetaret që për ç’do informacion apo element të dyshimit të çfarëdo lloj natyre, të njoftojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme preventive nga njësitet policore, për të krijuar një ambient sa më të qetë dhe më të sigurt.
Numrat kontaktues (Tel. Celular 192, Tel. Fiks 92 dhe 038 550 999).
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-se
DPP-Prishtinë