Bazuar në specifikat e stinës së verës dhe rreziqet potenciale nga zjarret në këtë stinë, drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkolonel Gazmend Hoxha, ka pritur në një takim pune drejtues të drejtorive komunale të emergjencave, komandantët e brigadave të zjarrfikësve, si dhe komandantët e stacioneve policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hanit të Elezit.Në këtë takim u diskutua rreth bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta të Policisë dhe të institucioneve komunale lidhur me parandalimin e rrezikut potencial nga zjarret, me theks të veçantë djegia e hamulloreve si dhe rreziku nga zjarri që mund të shkaktohet nga pakujdesia qytetare nëpër vendpikniqe.Në këtë takim u diskutua për zbatimin e planit operativ “Sezoni veror 2015”, siguria nga zjarret si dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta me planin operativ në shkallë komune. Në takim, gjithashtu, u shtrua nevoja e organizimit të ndonjë debati me mediat lidhur me këtë çështje. Policia e Kosovës edhe një herë apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në këtë drejtim, ndërmarrja e masave parandaluese nga zjarret.Duke mos i ndezur hamulloret do të kontribuojnë në siguri më të madhe nga zjarret dhe njëherësh do ta ruajnë ambientin.