Prishtinë, 18 qershor 2015
Sot, 18 qershor 2015, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, me stafin e lartë të PK-së, ka pritur në një takim një delegacion nga Gjermania, përkatësisht nga shteti North Rhine Westphalia, të udhëhequr nga z. Ralf Jäger, ministër i Brendshëm dhe z. Dieter Wehe, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit të North Rhine Westphalia. Z. Shpend Maxhuni falënderoi për vizitën delegacionin nga Gjermania dhe paraqiti një prezantim rreth historikut, organizimit, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës. Temë e këtij takimi ishte bashkëpunimi policor ndërkombëtar, migrimi ilegal dhe luftimi i krimit të organizuar. Drejtori Maxhuni tha se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: INTERPOL-i, EUROPOL-i etj. me qëllim parandalimin, luftimin e kriminalitetit si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së, ku njëherit u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga z. Ralf Jäger, ministër i Brendshëm për North Rhine Westphalia.Nga ana e tij z. Ralf Jäger, falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen dhe njëkohësisht premtoi se në takimin, që do ta ketë me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë do ta diskutojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL. Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e policive të të dy vendeve u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të dy policive si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit.
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-se