Prishtinë, 09 maj 2015
Njësitet relevante policore të komunikacionit rrugor, pas realizimit të hetimeve intensive të cilat ndërlidhen me rastin “aksident trafiku me fatalitet”, i cili ka ndodhur me datën 30.04.2015 rreth orës 19:50, në rrugën magjistrale Pejë-Prishtinë, konkretisht në fshatin Arllat K.K Drenas, kanë arritur ta identifikojnë personin e dyshuar dhe mjetin me të cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti. Si rezultat i punës së pandërprerë të njësiteve policore, me datë 08.05.2015 rreth orës 16:30, është arritur të identifikohet automjeti i cili ka qenë i përfshirë në aksidentin e trafikut me pasoja fatale, e më pastaj edhe vozitësin i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin dhe të jetë larguar nga vendi i ngjarjes. Vetura e cila dyshohet se ishte përfshirë në aksident është e markës Mercedes Sprinter ngjyrë e verdhe me targa lokale pronë e një kompanie, të cilën dyshohej se e kishte vozitur personi i dyshuar tanimë i arrestuar (N.A. 1983) në kohen e ndodhjes së aksidentit. Gjatë ekzaminimit të veturës nga zyrtarët policor janë vërejtur dyshime në automjet, se pas aksidentit ishin bërë ndërhyrje/punime në pjesët të cilat i janë dëmtuar veturës në momentin e aksidentit. Të gjitha veprimet policore janë kryer nën autorizimin e prokurorit kompetent, dhe me urdhrin e tij të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.