Gjakovë, 8 prill 2015
Me datën 2.4.2015 zyrtarë të një shkolle fillore në Gjakovë kanë raportuar në stacionin policor të Gjakovës për vjedhje të tetë ditarëve nga salla e arsimtarëve të shkollës.
Pas një pune intensive-hetimore, hetuesit e stacionit policor të Gjakovës kanë identifikuar të dyshuarit e rastit në fjalë, me ç’rast kanë intervistuar tetë persona të mitur, ku shtatë prej tyre janë të moshës 15 vjeçare ndërsa njëri 16 vjeçar e që të gjithë janë nxënës të së njëjtës shkollë.Të miturit e dyshuar janë shoqëruar për në stacionin policor të Gjakovës ku janë proceduar sipas kodit të drejtësisë për të mitur dhe të njëjtit kanë pohuar në tërësi veprën penale të kryer dhe se ditarët e vjedhur i kishin asgjësuar duke i djegur tre nga ata dhe pesë të tjerë i kanë hedhur në lumin e quajtur “Krena”. Bazuar në deklaratat e tyre rezulton se qëllimi ka qenë asgjësimi i ditarëve me qëllim të fshehjes së rezultatit të dobët të notimit dhe mungesat e shumta të tyre.Pas procedimit në Polici me njoftimin e prokurorit të shtetit të miturit e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.Rasti hetohet nga hetuesit e stacionit policor në Gjakovë.