Prishtinë, 30 mars 2015 – Sot në orën 01:25 minuta, policia ka marrë informacionin se në lagjen Veterniku, respektivisht në qendrën komerciale Albi Mall në Prishtinë, ka ndodhur një tentim vjedhje e rëndë e cila ka rezultuar me vrasje.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje dhe viktima:
• N. Ramadani, mashkull, 44 vjeç, shtetas kosovar, (roje sigurie në qendrën komerciale) duke mos mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë.
Mbështetur në rezultatet e para të punës policore, hetuesit rajonalë kanë ngritur versionin e hetimit se dy të dyshuar të maskuar dhe së paku njëri nga ta i armatosur ishin futur brenda në qendrën komerciale Albi Mall me qëllim të vjedhjes së një kasaforte.Ndërkohë që roja e sigurisë (viktima) i kishte vërejtur të dyshuarit brenda objektit kishte bërë përpjekje për t’i ndaluar ata, me ç’rast njëri nga të dyshuarit ka shkrepur armën në drejtim të tij, ku për pasojë i ka shkaktuar vdekjen.Në vazhdimësi të veprimeve të saj, Policia me një përkushtim të madh po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.