Prishtinë, 20.01.2015
Sot (20.01.2015) drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, me stafin e lartë të PK-së, ka pritur në një takim zyrtar Fulvio DELLA ROCCA, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Policisë Italiane dhe njëherit Drejtor i Drejtorisë së Policisë Kriminale i përcjellë nga stafi i tij. Referuar bashkëpunimit të ndërsjellë, z. Shpend Maxhuni falënderoi për mbështetjen që shteti italian, veçanërisht Policia Italiane, Karabinierët dhe Guardia di Finanza kanë dhënë për Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit në mes të dy policive të të dy vendeve. Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: Interpoli, Europoli etj. me qëllim parandalimin, luftimin e kriminalitetit si në vend, rajon dhe më gjerë, dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-se, ku u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga Policia Italiane.Nga ana e tij z.Rocca, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Italian, falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast z.Maxhuni për bashkëpunimin e treguar me Policinë Italiane, dhe shprehi gatishmërinë edhe për bashkëpunimin e mëtejme në fushën e luftimit të krimit, terrorizmit dhe shkëmbimit të informacioneve. Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e policive të të dy vendeve u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.