Prishtinë, 16 dhjetor
Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimin e publikuar me (14.12.2014) fillimisht në portalin “gazetaexpress” e më pastaj edhe në disa portale tjera, ku thuhej: “Policia e Kosovës shpërfill vendimin për embargo të prodhimeve ruse”, reagon dhe njëherit sqaron se ky informacion është i pavërtetë.Policia e Kosovës, bazuar në kriteret dhe procedurat ligjore, ka hapur tenderin për furnizim me vaj për automjete të PK-së dhe bazuar në ofertat e dorëzuara, komisioni vlerësues ka rekomanduar për ta kontraktuar kompaninë vendore “INTER TRADING” për t’i furnizuar automjetet e policisë me vajra motorike.Kjo kompani i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe specifikacionet teknike të dosjes së tenderit, duke qenë si ofertuesi më i lirë.Synimi i Policisë së Kosovës ka qenë dhe është që të respektohen të gjitha vendimet dhe procedurat ligjore, ku kompania në fjalë ka prezantuar dokumente valide, si kompani e autorizuar nga Rumania, për furnizim me vajra motorike “Lukoil”, të cilat janë prezantuar si prodhim i EU-së (Made in EU).Vlen të theksohet se lidhur me këtë projekt të furnizimit me vajra motorike për PK-në, janë kontaktuar edhe Doganat e Kosovës, të cilët kanë lejuar hyrjen e mallrave të tilla në RKS, Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra e BE-së, për t’u siguruar se për produktin në fjalë nuk ka ndalesë të importit. Aktualisht projekti në fjalë është shqyrtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, të cilët kanë rekomanduar që projekti të kthehet në ri-vlerësim nga Policia e Kosovës.Andaj, bazuar në respektimin e të gjitha kritereve, udhëzimeve dhe procedurave të parapara ligjore, Policia e Kosovës e vlerëson të drejtë procesin e tenderit për furnizim me vajra motorike dhe nuk ka asnjë shkelje të vendimit të Qeverisë për vënie të embargos ndaj Rusisë, e as shkelje të procedurave ligjore të Prokurimit nga ana e PK-së.
Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, se i tërë ky proces është duke u realizuar në harmoni të plotë me procedurat ligjore që aplikohen.
Në vijim dhe bashkangjitur keni fotografitë e produktit (vajit motorik) me shkrimin (Made in EU) .