Prishtinë, 28 gusht 2014
Më 27.08.2014 rreth orës 18:00, Policia e Kosovës ka pranuar një njoftim se është plagosur një person, qytetar i Kosovës në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë konkretisht në lokacionin në mes fshatrave Dumnicë e Poshtme dhe fshatit Perpellac, komuna e Podujevës që sipas informatave dyshohet se ngjarja ka ndodhur në territorin e Republikës së Serbisë. Me të marrë informatën Policia e Kosovës përmes njësive të rendit dhe ato nga Policia kufitare kanë dalë në atë lokacion me qellim të marrjes se informatave dhe trajtimit dhe hetimit të këtyre informatave. Bazuar në informatat që ka Policia e Kosovës disa persona kishin kaluar kufirin në atë zonë me qëllim të prerjes së paligjshme të druve ku sipas informatave kishte ndodhur incidenti dhe personi i plagosur ishte arrestuar nga Policia e Serbisë dhe gjendet në trajtim në Serbi. Bazuar në ketë rast por edhe rastet e tjera të kësaj natyre Policia e Kosovës vë në dijeni të gjithë qytetarët e Kosovës se veprimet e tilla të kalimit të kufirit në mënyrë të paautorizuar janë veprime të kundërligjshme dhe si pasojë janë të dënueshme. Duke ju referuar rasteve të tilla Policia e Kosovës apelon dhe ju sqaron të gjithë qytetarëve të Kosovës e sidomos atyre që banojnë në zonat kufitare se këto veprime përveç që janë kundërligjore janë shumë të dëmshme edhe për vetë imazhin e shtetit të Kosovës duke ndikuar edhe në cenimin e kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe në disa raste si pasojë e incidenteve të dhunshme ka pasur edhe persona të lënduar. Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetaret se personat që hasen duke kryer veprime të tilla, do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj tyre për veprat penale për kalim të paautorizuar të kufirit apo tentim kalimin e paautorizuar të kufirit dhe prerjes së paligjshme të druve.