Skenderaj, 13 korrik 2014
Si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit katër persona janë plagosur në orët e mbrëmjes së djeshme, rast ky i raportuar rreth orës 17:45, në fshatin Mikushnicë të Skenderajt.
Të plagosurve fillimisht ndihma e parë u është ofruar në QKMF Skenderaj dhe në spitalin rajonal të Mitrovicës, për t’u transferuar më pas për trajtim të mëtejmë në QKUK Prishtinë. Të plagosurit janë:
1. M. A. banor i fshatit Mikushnicë, pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare,
2. H. I. banor i fshatit Prekaz,
3. S. R. banor i fshatit Mikushnicë,
4. F. R. banor i fshatit Mikushnicë.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse të policisë, përfshirë edhe prokurorin e shtetit, të cilët kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave dhe dëshmive të nevojshme për rastin e raportuar.
Hetuesit e sektorit për krime serioze nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, të cilët janë duke u marrë me rastin, së bashku me teknikët e kriminalistikës, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë identifikuar 2 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm 7.62mm dhe kalibrit 9 mm, gëzhoja këto të cilat dyshohet se u përkisnin armëve të ndryshme të përdorura në këtë rast.
Personi i plagosur numër 1, M. A. njëherësh i dyshuar, pjesëtar i Policisë së Kosovës i njëjti ka dorëzuar armën e tij zyrtare të tipit “Glok” të kalibrit 9 mm, e cila armë dyshohet të ketë qenë përdorur në këtë rast.Ndaj zyrtari policor të involvuar në rast si i dyshuar, i është caktuar masa e suspendimit për 48 orë, gjersa Inspektorati Policor do të procedojë tutje me rastin.
Pas tretmanit mjekësor dhënë të plagosurve në QKUK, dy nga ta S. R. dhe H. I. lirohen nga QKUK, ku hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale në Mitrovicë, kanë siguruar prezencën e të plagosurve pas procedurave intervistuese. Ndaj S. R. në cilësi të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, me autorizim të prokurorit publik, ndërsa i plagosuri H. I. pas intervistimit në cilësi të dëshmitarit të rastit është liruar.
Sipas raporteve të para të hetuesve policorë, dyshohet se në vendin e ngjarjes të jenë përdor dy armë të kalibrit të ndryshëm. Përveç armës zyrtare të marrë nga i dyshuari M. A., hetuesit policorë janë në kërkim të armës tjetër.
Dyshohet se ky akt kriminal është i motivuar mbi mosmarrëveshje të mëhershme në mes të anëtarëve të dy familjeve me banim në fshatin Mikushnicë, ndërsa pretekst të rastit të mbrëmshëm dyshohet të jetë ndalimi i kolonës me dasmorë i familjes së S. R. afër shtëpisë së të dyshuarit M. A. Hetuesit rajonalë ka nisur hetimet për vepër penale ‘vrasje në tentativë’.